Bosnia, “Jerusalemi” i Erdoganit në Zemër të Evropës
Alon Ben-Meir and Arbana Xharra
Ndërkohë që Presidenti i Turqisë Erdogan është duke mbetur pa para, ai është tani, më shumë se çdo here më parë, duke përdorur fenë për të “ushqyer” Ballkanin, veçanërisht shtetet që janë më të ndjeshme ndaj ndikimit islamik.
Bosnja është në ballë të axhendës ambicioze islamike të Erdoganit, ku ai nuk kursen burime politike, kapitale apo financiare, madje edhe nën vështirësitë e tij të tanishme ekonomike, për të shtrirë ndikimin e tij dhe për ta distancuar Bosnjen sa më shumë nga BE-ja.
Boshnjakët padyshim se nuk mund të mbijetojnë thjesht duke qenë muslimanë të devotshëm, me përqindjen e papunësisë së të rinjve në gati 60 përqind. Turqia nuk ka gjasa të rimëkëmbet ekonomikisht në një të ardhme të afërt, dhe premtimet e Erdogan për të ofruar ndihmë financiare dhe investime do të bien në ujë përballë krizës së tij financiare.
Lufta e fjalëve, hiperinflacioni, sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe investimet e pamatura mbi paratë e huazuara e kanë ulur me të madhe vlerën e Lires Turke. Pesë vjet më parë, $ 1 ishte me vlerë 2 lira; sot, gjashtë lira shkëmbehen për një dollar, por kjo nuk i ka dekurajuar udhëheqësit boshnjakë që të kërkojnë bashkëpunim më të afërt me Erdoganin.
Bakiri Izetbegoviç, kreu musliman boshnjak dhe kryetari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, deklaroi në Maj (përpara mijëra emigrantëve turq dhe mbështetësve boshnjakë të Erdoganit që kishin udhëtuar nga e gjithë Evropa në Sarajevë) se “Perëndia i dërgoi kombeve tona një person për t’i kthyer ata në fenë e tyre … Ai është Rexhep Tajip Erdogan. Ne qëndrojmë në këmbë me ndihmën e Perëndisë”. Turma brohoriste kur një udhëheqës i diasporës turke e barazoi dhe e idealizoi Sarajevën si “Jeruzalemi në zemër të Evropës”.
Bosnja ishte më shumë se e gatshme të hapte derën për presidentin turk që të organizonte një tubim zgjedhor në Sarajevë, veçanërisht pas refuzimit të BE-së për të lejuar atë të bënte fushatë në shtetet anëtare. Për Erdoganin, Ballkani është rajoni që mund ta vendosë atë në një pozitë për të realizuar qëllimin e tij politik për ringjalljen e disa dukurive të Perandorisë Osmane, duke minuar ndërkohë ndikimin e BE-së në këto vende.
Bosnja përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, popullsia e të cilës përbëhet nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë katolikë; dhe Republika Srpska, ku serbët ortodoksë janë shumicë. Rreth gjysma e qytetarëve të Bosnjes 3.8 milionë janë myslimanë, shumë prej të cilëve e konsiderojnë Erdoganin si udhëheqës të tyre të besuar, nëse jo shpëtimtarin e tyre.
Për më shumë se një dekadë, Erdogan ka investuar shumë në përhapjen e ndikimit të tij në shtetet e Ballkanit dhe Bosnja ishte dhe është ende një nga objektivat kryesore të tij. Ai premtoi një investim shumë miliardësh për autostradën kryesore që do të lidhë Serbinë dhe Bosnjën. Turqia dhe Bosnja nënshkruan marrëveshjën për ndërtimin e autostrades që lidh dy kryeqytetet e Ballkanit, një projekt që llogaritet të kushtojë rreth 3.5 miliard dollarë, mirëpo që ende nuk ka nisur për shkak të mungesës së burimeve financiare.
Ndërkohë që Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) – një “makineri” përmes të cilit Turqia përhapë axhendën e saj islamike në Ballkan – ka përfunduar më shumë se 800 projekte të vogla në Bosnje, kryesisht që kanë të bëjnë me institucionet fetare.
Krerët evropianë tashmë kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e Turqisë në Ballkan. Vetëm pak muaj më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi: “Nuk dua që një Ballkan të kthehet drejt Turqisë apo Rusisë”.
Gjatë fjalimit të tij në muajin Maj në Sarajevë, Erdogan u bëri thirrje mbështetësve të marrin pjesë aktivisht në politikën evropiane për të kundërshtuar sentimentin anti-turke. “Duhet të jeni në ato parlamente në vend të atyre që tradhtojnë vendin tonë”, tha ai, duke iu referuar ligjvënësve evropianë me rrënjë turke.
Në një bisedë me ne, Orhan Hadzagic, analist politik nga Bosnja, tha se Erdogan nga boshnjakët konsiderohet më shumë se vetëm një udhëheqës i huaj. Ai pyet se, “Nga vizita e fundit e Erdoganit në Bosnje, cili ishte përfitimi për qytetarët boshnjakë nga ajo tubim elektoral, një ngjarje që paraqiste krerët e dy partive që mbështesin haptazi njëri-tjetrin?”
Hadzagic është i bindur se vendi i tij po e rrezikon hyrjen në BE duke hapur dyert për Erdogan, nga ku ai po sfidon direkt Brukselin. “Shumë OJQ”, tha ai, “janë të afërta meTurqinë; ato marrin mbështetje financiare për të ndryshuar imazhin negativ dhe perceptimin rreth sundimit autoritar në rritje në Turqi, në mesin e boshnjakëve “.
Një shumicë e madhe e boshnjakëve nuk sheh ndonjë alternativë drejtë Bashkimit Evropian, ata janë të pasionuar në mbështetjen e tyre ndaj Erdoganit. Në një sondazh të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, i publikuar në mars të këtij viti, thotë se 76 për qind e boshnjakëve janë deklaruar se kishin qasje pozitive rreth rolit të Turqisë në vendin e tyre.
Për Erdogan, Bosnja zë një vend të veçantë dhe ai do të përpiqet të mbajë imazhin e tij aty si një udhëheqës fetar dhe shpëtimtar ekonomik. “Lista e përparësive të Erdoganit po rritet, kështu që Bosnja është në mënyrë të pashmangshme duke zbritur në atë listë,” tha Hadzagic, “i cili do të zvogëlojë [ndikimin e Erdoganit] mbi shtetin, organizatat joqeveritare dhe mediat këtu në Bosnje. Si pasojë, kjo do të çojë në uljen e ndikimit të Ankarasë në Bosnje”.
Si i tillë, Erdogani është duke e rritur fokusin e tij në mediat vendore dhe institucionet joqeveritare në Bosnje duke u ofruar atyre ndihmë financiare për të mbështetur axhendën e tij politike. Por edhe kjo po bëhet financiarisht e rëndë, duke e bërë më të vështirë të vazhdojë me fushatën e tij mediatike.
Sead Numanoviç, një gazetar i mirënjohur nga Bosnja, na tha se “BE dhe SHBA janë ende (dhe kam frikë se do të vazhdojnë të jenë) shumë pasivë në Ballkan, ky mjedis i jep një hapësirë shtesë Erdoganit për të punuar lehtësisht me axhenden e tij anti perëndimore “. Kjo shpjegon pse Partia e AK Erdogan ka hapur kohët e fundit një zyrë në Sarajevë, dega e saj e parë zyrtare në Ballkan.
Zëdhënësi i Ambasadës Turke në Sarajevë tha për “Foreign Policy” se Turqia e mbështet fuqishëm procesin e anëtarësimit të Bosnje dhe Herzegovinës në NATO-s dhe BE. “Turqia nuk është [në Bosnje] të shtrijë ndikim, por të inkurajojë stabilitetin politik për hir të të gjithë rajonit”.
Xhemal Ahmeti, historian dhe ekspert për çështjet e Evropës Juglindore, tha se myslimanët e Bosnjes aktualisht janë më besnikët ndaj autokratit turk.
“Muslimanët boshnjakë kanë humbur shpresat se shteti i tyre trinitar do të bëhet një anëtar i BE. Kjo është arsyeja pse ata mbështeten në Turqinë për të mbijetuar, duke qenë se ata si një sendviq mes katolikëve, kroatëve konservatorë dhe juridiksioneve ortodokse “, tha Ahmeti për të shtuar se “Paradoksalisht, ndërsa myslimanët boshnjakë kërkojnë mbrojtjen e Erdoganit nga ortodoksët (serbët dhe rusët), aleatët e ngushtë të Erdoganit janë Putini dhe [kryeministri i Serbisë] Vuçiç.”
Krerët dhe qytetarët boshnjakë duhet të kuptojnë se Erdogan po lëviz gjithnjë e më afër Rusisë dhe Iranit. BE-ja tashmë e ka bërë të qartë, veçanërisht në lidhje me të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë, të cilat janë parakushte për anëtarësimin në BE, prandaj Bosnja nuk duhet të flirtojë me Erdoganin për shkak se ai i ka braktisur në mënyrë flagrante parimet themelore të BE-së dhe zhvillimi i një demokracie të plotë në Bosnje nuk i shërben interesit të tij.
Tani është në dorë të liderëve boshnjakë të përcaktojnë fatin e tyre, të cilat duhet të lidhen në mënyrë të pashmangshme me anëtarësimin e plotë me BE në qoftë se duan të rriten e të përparojnë ndërsa përqafojnë demokracinë e plotë.
Kjo nuk sugjeron që ata të shkëpusin marrëdhëniet me Turqinë si një fuqi rajonale, me të cilën ata do të duhet të intensifikojnë zhvillimin e një marrëdhënie reciproke fitimprurëse sapo Erdogani të largohet nga skena politike.
Ata duhet të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me Erdoganin, i cili po i manipulon duke e përdorur Islamin për të ndjekur axhendën e tij të rrezikshme politike.