All Writings
November 14, 2023

Cili është rezultati përfundimtar i Izraelit në Gaza?

Nëse Izraeli nuk vendos një strategji daljeje dhe rezultatin përfundimtar që do të çojë në një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez në koordinim të plotë me SHBA-në dhe Arabinë Saudite, lufta kundër Hamasit do të jetë vetëm një episod tjetër brutal i dhunshëm që do ta përgatisë terrenin për shpurritje të zjarrit që do të përfshijë Bregun Perëndimor dhe potencialisht do t’ia vë flakën të gjithë rajonit

Ndërsa lufta Izrael-Hamas po vazhdon, thirrja ndërkombëtare për armëpushim ose të paktën një pauzë në luftimet për disa ditë për të lejuar dërgimin e sendeve të nevojës së domosdoshme është absolutisht thelbësore në këtë moment. Është dukshëm e qartë se ka një rritje të simpatisë ndërkombëtare ndaj palestinezëve, duke e pasur parasysh shkallën e shkatërrimit dhe të humbjes së jetëve. Kjo krizë humanitare e përmasave të tilla të pabesueshme po e lë në hije vrasjen e pandërgjegjshme të 1400 njerëzve në Izrael dhe rrëmbimin e 248 të tjerëve. Megjithatë, fatkeqësisht, megjithëse Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes, fushata për ta çrrënjosur Hamasin po i ngjan gjithnjë e më shumë një lufte hakmarrjeje dhe shpagimi. Ajo ka shkaktuar shkatërrime të jashtëzakonshme dhe vuajtje njerëzore. Pas vetëm katër javësh, gati 11,000 njerëz në Gaza kanë vdekur, një e treta e tyre fëmijë nën moshën 18 vjeç, ka një mungesë të tmerrshme të ushqimit, ilaçeve, ujit dhe karburanteve dhe pothuajse gjysma e popullsisë tani është e zhvendosur brenda vendit.

Kjo fatkeqësi po shpaloset para syve tanë dhe duhet të ndalet, qoftë edhe përkohësisht, për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve të shumë prej dhjetëra mijërave të plagosur, varrosjen e të vdekurve dhe për ta shmangur urinë e përhapur. Dhe megjithëse një ndërprerje e përkohshme e gjendjes së luftës i sjell përfitim Hamasit, ia vlen të ndërmerret, jo vetëm për t’i lehtësuar vuajtjet e tmerrshme të të gjithë popullsisë në Gaza, por edhe për të hapur një dritare për negocimin për lirimin e sa më shumë pengjeve, veçanërisht të gjitha grave dhe fëmijëve, në këmbim të pauzës në luftime.

Ndërsa qëllimi i deklaruar i Izraelit që nga fillimi ishte dhe ende është me të drejtë shkatërrimi i Hamasit, Izraeli nuk ka ofruar ende ndonjë strategji të qartë daljeje apo rezultat përfundimtar. Pasi Hamasi të mposhtet plotësisht, gjë që është ende një urdhër i lartë, Izraeli me mbështetjen e SHBA-në dhe Arabisë Saudite në veçanti, do të duhej të ofronte një alternativë të shëndoshë që i përmbush aspiratat e palestinezëve dhe e bën Hamasin të parëndësishëm.

Presidenti Biden duhet të kërkojë që kryeministri Netanyahu dhe ushtria e tij të zhvillojë, në koordinim me SHBA-në, një strategji të qartë daljeje dhe një rezultat përfundimtar në përputhje me interesat kombëtare të Izraelit, palestinezëve dhe të SHBA-së.

Protestat që janë zhvilluar në qytetet kryesore në SHBA-në gjatë fundjavës, duke e përfshirë Uashingtonin, janë padyshim disa nga më të mëdhatë që kemi parë për një kohë të gjatë. Këto thirrje për një armëpushim ose një pauzë në luftimet për arsye humanitare po ushtrojnë presion mbi Bidenin për ta ndryshuar mbështetjen e tij pothuajse të pakushtëzuar për përpjekjet e luftës së Izraelit, të cilat ai nuk mund t’i injorojë më. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse mbështetja e palëkundur e SHBA-së ndaj Izraelit e bën administratën e Bidenit bashkëpunëtore në tragjedinë që po shpaloset, e cila kritikohet ashpër edhe nga radhët e demokratëve kryesorë.

Cili duhet të jetë rezultati përfundimtar? Unë besoj se ekzistojnë tre skenarë të mundshëm, dy prej të cilëve janë jopraktikë në kuptim që nuk do të çojnë në një zgjidhje të përhershme të konfliktit izraelito-palestinez.

Kontrolli izraelit mbi Gazën
Së pari, Netanyahu po pretendon se dëshiron ta ruajë sigurinë mbi Gazën, por ai nuk po thotë se kush do ta qeverisë dhe administrojë Rripin. A dëshiron ai ta ripushtojë të gjithë Gazën apo vetëm gjysmën veriore, gjë që mund të shpjegojë pse ai donte që palestinezët të shkonin në jug. Presidenti Biden ka shumë të drejtë kur sugjeron se riokupimi i Gazës, pjesërisht ose plotësisht, nuk do të jetë asgjë më pak se një katastrofë për Izraelin dhe do të garantojë vetëm zgjatjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Për më tepër, duhet theksuar këtu se duke pasur parasysh përvojën e Izraelit në Bregun Perëndimor të okupuar, ruajtja e sigurisë ishte vetëm paksa e suksesshme në rastin më të mirë, siç dëshmohet nga dhuna e vazhdueshme midis forcave izraelite dhe palestinezëve, e cila kishte përshkallëzuar gjithnjë e më shumë. Netanyahu është budalla të supozojë se ai mund ta mbajë kontrollin mbi Gazën duke krijuar një aparat sigurie kur militantët e lidhur me Hamasin në Gaza do t’i nënshtrojnë forcat izraelite ndaj sulmeve terroriste që do të kërkojnë një taksë të rëndë në gjak dhe thesar. Dhuna në Bregun Perëndimor do të zbehet në krahasim me atë që militantët e Hamasit në Gaza do të jenë ende në gjendje të bëjnë kundër forcave izraelite pa iu parë fundi.

Rivendosja e palestinezëve në Egjipt
Opsioni i dytë, të cilin Netanyahu e ka eksploruar me Egjiptin, do të lejonte vendosjen e disa qindra mijëra palestinezëve në Sinai; Egjipti do të merrte përgjegjësinë administrative në Gaza ndërsa Izraeli do ta ruante sigurinë. Presidenti egjiptian Sisi e kundërshtoi kategorikisht çdo përfshirje të ardhshme me palestinezët në Gaza, përveç lehtësimit të kalimit përmes Rafahut, kalimin e njerëzve për arsye të justifikueshme, si dhe transferimin e mallrave. Qeveria egjiptiane e konsideron Hamasin një degë të Vëllazërisë Myslimane, e cila është e jashtëligjshme në Egjipt. Për këtë arsye, Egjipti e ka bllokuar edhe Gazën për ta parandaluar depërtimin e militantëve të Hamasit në vend.

Për më tepër, Egjipti i ka telashet e veta. Ekonomia është në një situatë të rëndë dhe shqetësimet e tij për sigurinë janë në rritje. Egjipti thjesht nuk dëshiron t’i shtojë më shumë telashe problemeve të tij të brendshme. Pra, ata nuk janë të interesuar për asnjë zgjidhje që do t’i rëndojë me palestinezët. Thënë kështu, Presidenti Sisi ishte i qartë se pavarësisht se si përfundon kjo luftë, duhet të krijohet një kornizë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, përndryshe do të jetë vetëm çështje kohe kur kjo luftë do të nxisë një tjetër.

Periudha tranzitore për Gazën nën mbikëqyrjen e OKB-së
Opsioni i tretë mund të jetë më i zbatueshëm pasi do të kërkonte një periudhë tranzitore ku Kombet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë. Administrativisht, siç dihet, UNWRA ka qenë në terren për dekada të tëra, duke ofruar shërbime të ndihmës dhe zhvillimit, duke e përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor, mikrofinancat dhe trajnimet për punë. Edhe pse nuk ka qenë e përfshirë në drejtimin e vetë Gazës, UNWRA është shumë e njohur me skenën në Gazë. Ajo i njeh nevojat e popullsisë, kushtet mbizotëruese socio-ekonomike dhe problemet e përditshme me të cilat përballet popullata në Gazë. UNWRA është në pozicionin më të mirë të mundshëm për të marrë përgjegjësi më të mëdha nën një mandat të modifikuar dhe të zgjeruar, me kusht që të marrë fuqinë punëtore dhe financimin e nevojshëm.

Në lidhje me përgjegjësitë administrative të shtuara të UNWRA-s, do të jetë e nevojshme të krijohet një forcë paqeruajtëse që do të jetë përgjegjëse për sigurinë. Kjo forcë duhet të përbëhet ekskluzivisht nga shtetet arabe që janë në paqe me Izraelin, përkatësisht Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Jordania, Bahreini dhe Maroku, si dhe Egjipti.

Duhet të bëhet e qartë se megjithëse Bregu Perëndimor dhe Gaza pas Hamasit duhet të qeverisen nga Autoriteti Palestinez (AP), kjo nuk duhet dhe në fakt nuk mund të ndodhë për të paktën një vit deri në 18 muaj pas krijimit të një autoriteti administrativ të OKB-së në Gaza. Gjatë kësaj periudhe, palestinezët, si në Bregun Perëndimor, ashtu edhe në Gaza do të përgatiteshin politikisht për zgjedhje të reja. AP-ja aktuale është e korruptuar deri në kockë; Presidenti Abbas është refuzuar dhe përbuzur nga shumica e palestinezëve dhe duhet të largohet. Vetëm një udhëheqje e re, e freskët dhe e pakorruptuar e sapozgjedhur që e gëzon besimin e popullit mund të ketë sukses.

Nga ana izraelite, askush nuk duhet të mbajë frymën duke pritur që Netanyahu dhe banda e tij të partnerëve të zellshëm të koalicionit të bien dakord për çdo gjë që madje i ngjan një shteti të pavarur palestinez. Pasi të përfundojë lufta, Netanyahu do të përballet me një hetim në lidhje me katastrofën e paprecedentë që ndodhi nën mbikëqyrjen e tij dhe ai do të duhej të jepte dorëheqje ose të shkarkohej. Edhe këtu, një qeveri e re duhet të krijohet në Izrael, e cila duhet të angazhohet që nga fillimi për një zgjidhje me dy shtete.

Pasi të jenë vendosur dy parakushtet e mësipërme, autoriteti administrativ i OKB-së do të heqë dorë nga roli dhe përgjegjësia e tij ndaj AP-së.

Shtetet arabe duhet të kushtëzojnë angazhimin e tyre për të siguruar një forcë paqeruajtëse me pranimin e Izraelit për një zgjidhje me dy shtete. Kjo do të thotë, pasi të krijohet një forcë e tillë paqeruajtëse, procesi i ndërtimit të paqes duhet të fillojë të punojë seriozisht drejt këtij qëllimi. Çdo zgjidhje e përkohshme duhet të përdoret vetëm si mjet drejt një zgjidhjeje përfundimtare, përndryshe do të shërbente si një pushim nga pritja për t’u shpalosur një katastrofë tjetër.

Roli i SHBA-së dhe Arabisë Saudite
Arabia Saudite dhe SHBA-ja mund të luajnë një rol të madh, në fakt të pashmangshëm, në këtë drejtim:

SHBA-ja ka dhe vazhdon të jetë garantuesi përfundimtar i sigurisë kombëtare të Izraelit, dhe Presidenti Biden ka bërë më shumë se çdo paraardhës i tij në këtë drejtim dhe e ka treguar këtë në mënyrën më të qartë me mbështetjen e tij të pamohueshme ndaj Izraelit. Ai duhet t’ia bëjë shumë të qartë (dhe është në gjendje ta bëjë këtë) Netanyahut ose pasardhësit të tij se mbështetja e palëkundur e SHBA-së ka kosto të konsiderueshme politike për Amerikën, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Shumë vende në mbarë botën e shohin SHBA-në si bashkëpunëtore të tmerrit të shpalosur në Gaza. Presidenti Biden duhet të vendosë një kornizë për një zgjidhje me dy shtete, për të cilën ai ka avokuar gjatë shumë dekadave.

Procesi i negociatave të paqes sigurisht që do të marrë më shumë se një vit për të përfunduar. 2024 është një vit zgjedhor në SHBA, por pavarësisht se kush mund të jetë presidenti i ardhshëm, Biden duhet t’i përmbahet planeve, sepse një tjetër shpurritje e zjarrit izraelito-palestinez do ta përfshijë në mënyrë të pashmangshme SHBA-në. Është koha që SHBA-ja të ulë këmbën, të mos e lejojë Izraelin të bëjë si të dojë (të mos ia jep Izraelit carte blanche) dhe ta kushtëzojë mbështetjen e mëtejshme, financiare dhe ushtarake, për përpjekjet e vërteta për të negociuar me mirëbesim dhe për të arritur një marrëveshje paqeje.

Arabia Saudite mund ta plotësojë iniciativën e SHBA-së me rolin e saj më domethënës duke e shfrytëzuar prishjen e marrëdhënieve izraelito-palestineze dhe duke ofruar një depërtim të paprecedentë për t’i dhënë fund konfliktit. Sauditët duhet ta bëjnë të qartë se sapo të përfundojë lufta, ata do të jenë të gatshëm t’i normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin me kusht që një qeveri e re izraelite të pranojë një zgjidhje me dy shtete dhe të negociojë vazhdimisht derisa të arrihet një marrëveshje.

Kjo luftë duhet të përfundojë, duke e lënë Hamasin në mënyrë dramatike të dobësuar dhe në rrëmujë. Por humbja përfundimtare e Hamasit nuk do të jetë në fushën e betejës, do të jetë duke krijuar një alternativë ndaj qeverisjes së Hamasit nga e cila do të përfitojnë shumë palestinezët. Ky kontrast duhet të bëhet qartë dhe menjëherë për t’iu treguar palestinezëve se Hamasi nuk ishte vetëm armiku i Izraelit, por armiku i palestinezëve të zakonshëm. Po, të gjithë palestinezët në Gazë duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet, por u privuan nga një jetë normale për shkak të rezistencës së dhunshme të Hamasit ndaj Izraelit, duke shpërdorur çdo burim për ta luftuar Izraelin, duke i lënë njerëzit të dëshpëruar dhe të pashpresë.

Izraeli nuk duhet ta zgjasë këtë luftë tragjike qoftë edhe një ditë të panevojshme. Në të vërtetë, nëse kjo luftë zgjat edhe për një ose dy muaj, është pothuajse e sigurt se 20,000 deri në 30,000 palestinezë, kryesisht civilë të pafajshëm, dhe dhjetëra ushtarë izraelitë do të vriten. Vazhdimi i vdekjes dhe shkatërrimit të tmerrshëm në Gazë së bashku me humbjet izraelite vetëm do ta thellojë urrejtjen, armiqësinë dhe mosbesimin midis Izraelit dhe palestinezëve dhe do ta bëjë një zgjidhje të konfliktit gjithnjë e më të vështirë.

Çdo izraelit duhet t’ia bëjë vetes pyetjen e dhimbshme: a duam ta përkujtojmë vdekjen e 1400 izraelitëve të pafajshëm të vrarë nga Hamasi duke vrarë, sado pa dashje, 20,000 palestinezë? A duhet të përkujtohen kështu viktimat izraelite? Kjo është diçka për të cilën çdo izraelit duhet të mendojë.

Po, Izraeli mund dhe do të fitojë çdo betejë kundër Hamasit, por do ta humbasë luftën nëse nuk fillon një proces paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve sapo të përfundojë lufta, nën kujdesin e SHBA-së dhe Arabisë Saudite, i cili duhet të çojë në një zgjidhje me dy shtete.


Për më shumë informacion se si mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme paqeje e bazuar në një zgjidhje me dy shtete, ju lutemi referojuni esesë sime në World Affairs, “Rasti për një Konfederatë izraelito-palestineze-jordaneze: Pse tani dhe si?”

SHARE ARTICLE