All Writings
May 4, 2020

Pasojat fatale të aneksimit territorial

Qeveria izraelite beson se ka dritën e gjelbërt të Uashingtonit për të aneksuar territore të palestinezëve. Gabim. Trump nuk ka hallin e paqes ndërmjet palëve në konflikt, por donë votën e evangjelikëve për të fituar zgjedhjet që vijnë. Një zhvillim që mund të ketë pasoja fatale për Palestinën e veçanërisht për Izraelin.

Formimi i koalicionit izraelit të prirë nga Netanjahu dhe Gantz, respektivisht nga liderët e partive Likud dhe Kahol Lavan, pas tre palë zgjedhjeve, i jep fund paralizimit politik të Izraelit. Paralizim që u përcaktua nga rivaliteti personal i liderëve. Në plotë pika socio-ekonomike dhe të sigurisë që të dy liderët ranë dakord. Në këtë e sipër ata nënvizueshëm mbështetën edhe njërën nga temat më të rrezikshme; aneksimin e një cope të konsiderueshme të territorit palestinez, i cili parashihet në planin “Liri për Mirëqenie” të Trumpit. Realizimi i këtij plani do të shkaktonte pasoja të pandreqshme. Ai i do të ndryshonte në mënyrë drastike karakterin e Izraelit si shtet demokratik, hebre.

Për më gjatë se dhjetë vite Netanjahu inskenoi panik mjeshtërore, duke prezantuar themelimin e një shteti palestinez si rrezikun ekzistencial të Izraelit dhe betohej se këtë nuk do ta lejojë kurrë. Aneksimi i planifikuar përmbyll vërtetë çdo gjasë të palestinezëve për të pasur një shtet të vetin. Është dëshpërim i thellë, zhgënjyes që Gantz i bashkohet Netanjahut në këtë drejtim. Si ish shef i shtabit të IDF ai e di, siç edhe ka dëshmuar koha, se siguria nacionale e vendit nuk varret nga dridhja e muskujve ushtarak, por nga përmbyllja e konfliktit nëpërmjet themelimit të një shteti palestinez, i cili do të kooperonte në të gjitha çështjet e sigurisë, që prekin dy vendet.

FRONTI I PËRBASHKËT IZRAEL-HAMAS

Fatkeqësisht, politikën e Netanjahut e asistojnë edhe palestinezët, sidomos Hamas, të cilët refuzojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Me provokimet e tyre të vazhdueshme dhe të dhunshme ata i japin Netanjahut municion për të justifikuar pohimin e tij që thotë se palestinezët nuk janë të interesuar të koekzistojnë në paqe më Izraelin, por ta zhbëjnë atë. Fakti që palestinezët refuzuan çdo plan paqësor dhe që vazhdojnë gjeneratë pas gjeneratë të indoktrinojnë të rinjtë e tyre me ndjenja anti-izraelite ia lehtëson Netanjahut politikën mbrojtëse kundër Palestinës.

Tashti, pasi Netanjahu eliminoi çdo protestë serioze dhe të fuqishme nga opozita kundër aneksimit, ai solli Izraelin në rrugën e një konfrontimi të pashembullt dhe brutal me palestinezët. Kur njëherë anektimi të ketë ndodhur, ai do të jetë i pakthyeshëm. Izraeli do të ndërtojë koloni të reja dhe do t’i zmadhojë të qenat. Në këtë aksion e sipër ai do të dëmtojë rëndë të drejtat pronësore të palestinezëve, do të shkul shtëpi, do të dëbojë njerëz dhe do të vë nën kontroll resurset natyrore në kundërshtim me të Drejtën e Popujve.

Të përballur me këto shkelje të rënda njerëzore palestinezët nuk do të kenë më shumë çka të humbin. Para një mbifuqie ushtarake si Izraeli, të pashpresë dhe në huti ata do të çohen dhe do të bashkohen. Ata do të jenë të gatshëm në një vdekje me dinjitet, në vend se të jetojnë në skllavëri dhe të heqin dorë nga ëndrra e tyre për shtet.

Për mua dhe për shumë izraelitë nga komuniteti ushtarak dhe i shërbimeve sekrete një kryengritje palestineze është e vetëkuptueshme. Nëse Netanjahu dhe Gantz injorojnë këtë rrezik ata mbjellin farat e kësaj revolte; vetëm koha se kur vjen shpërthimi është në pyetje.

Netanjahu llogarit në Trump-in, nga i cili shpreson mbështetje, të cilën ai do t’ia sigurojë duke bërë presion tek shtetet arabe, që këto pastaj të bindin palestinezët të pranojnë planet. Mbitëgjitha Trump u premton palestinezëve krijimin e shtetit në një afat prej katër vitesh. Një shikim të saktë mbi planet e cekura, sidomos mbi hartën e trojeve që duhet aneksuar, na tregojnë qartë se krijimi i një shteti palestinez është i pamundur dhe kuptojmë se plani nuk është hiçgjëtjetër përpos se një mashtrim.

STRUKTURA E MASHTRIMIT

Një pjesë e marrëveshjes ndërmjet Netanjahut dhe Gantz përmban dy nene, të cilat shpalojnë qëllimin e të dyve se si të aneksojnë pjesë të Jordanisë Perëndimore në kuadër të Planit të Trump-it “Paqe për Mirëqenie”:

Neni 28: Kryeministri dhe zëvendësi i tij do të bashkëpunojnë dhe veprojnë koordinueshëm për të përparuar marrëveshjet paqësore me fqinjët në përforcim të bashkëpunimi rajonal në një mori segmentesh ekonomike …

Gjithçka që ka të bëjë me Deklaratën e presidentit Trump, kryeministri dhe zëvendësministri tij, do të veprojnë në pajtim të plotë me SHBA-të, sidomos për çështjen e Hartave, e cila synon nisjen e një dialogu ndërkombëtar. Njëkohësisht duke pasur gjithmonë parasysh sigurinë dhe interesat strategjike të shtetit të Izraelit, do të përkushtohen për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të çuar përpara marrëveshjet paqësore.

Neni 29: Pavarësisht se ç’është shkruar në nenin 28, pas bisedimeve dhe konsultimeve ndërmjet kryeministrit dhe zv/kryeministrit mbi parimet e lartpërmendura, kryeministri që nga 1 korriku 2020 do të jetë në gjendje t’ia parashtrojë në aprovim Kabinetit, Qeverisë dhe Parlamentit (Knesset) marrëveshjen me SHBA- të rreth zgjerimit të sovranitetit të vendit.

Problemi qëndron në faktin se Netanjahu dhe Gantz ose nuk kuptojnë fare agjendën e Trump-it ose e injorojnë atë, ngase në realitet nuk e konsiderojnë të rëndësishme. Për Netanjahun me rëndësi është – siç duket këtë politikë e ndanë me të edhe Gantz – realizimi i vizionit të tij për realizimin e sovranitetit izraelit dhe kontrollit mbi shtetin biblik të hebrenjve, i cili shtrihet që nga Mesdheu e deri në Jordan. Ata besojnë se njohja e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe transferimi i ambasadës amerikane në qytetin e shenjtë është dëshmia e konfirmimit të vizionit të tij, i cili realizohet nën maskën e “Planit paqësor” amerikan.

INTERESAT REALE TË TRUMP

Në realitet mirëpo Trump nuk çan kokën për sigurinë dhe mirëqenien e Izraelit. Interesi i tij i vetëm është të përvetësojë përkrahjen e elektoratit evangjelist, për të cilët Izraeli është kanali për (ringjalljen) rikthimin e Mesias. Netanjahu llogarit që deri në fillim të korrikut të marr dritën e gjelbër nga Trump për të realizuar planet e tij të aneksimit. Atëherë kur Trump-it i nevojitet impulsi për zgjedhjet presidenciale – të cilat tashmë janë duke u zhvilluar intensivisht. Përballë Korona-Virusit dhe rritjes së numrit të të vdekurve, nevojës për të kompensuar humbjen ekonomike si dhe humbjes së 30 milionë vendeve të punës Trump është më se i varur nga mbështetja e evangjelikeve.

Këto zhvillime u ofrojnë palestinezëve, veçanërisht Hamas-it, mundësinë që t’i presin udhën Netanjahut duke mos refuzuar, por duke pranuar dialogun amerikan të realizimi të planit që ka për synim dy-shtetet, ashtu siç është skicuar më parë nga një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve të mëhershëm. Palestinezët nuk kanë komoditetin për të humbur këtë shans, ngase implementimi i planit të Trump-it do të vdes shpresa e tyre për themelimin e një shteti palestinez dhe dhuna do të kthehet në përditshmëri, duke shkaktuar vuajte tek të dyja palët.

FINALJA FATALE
Pasojat dhe vuajtjet nuk do të jenë më pak fatale (se tek palestinezët) për Izraelin nëse Netanjahu dhe Gantz vazhdojnë me këtë plan aneksimi. Me siguri do të ndodhë një varg zhvillimesh si: Dhuna ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve do të ashpërsohet; Jordania dhe Egjipti do të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike dhe në mos do të anulojnë gjitha kontratat paqësore me Izraelin: Shtetet e Gjirit, të cilat në sektorin e shërbimeve sekrete kanë punuar bashkë me Izraelin, do të të tërhiqen; dhjetëra vende do të njohin shtetin palestinez; Lëvizja BDS do të forcohet; Antisemitizmi do të arrijë majat deri tash të papara; Izraeli do të shndërrohet në një vend i parisë; dhe paqeja do t’iu largohet izraelitëve deri atje ku kap syri.

Çdokush që ka për zemër demokracinë, mirëqenien dhe sigurinë kombëtare zë Izraelit duhet të dëgjohet. Trump, sot ose nesër do të ikë nga skena politike, pasojat e shkaktuara me ndihmën e Netanjahut dhe Gantz mirëpo do të mbesin do të bëhen gropa e Izraelit. Izraeli do ta zhbëjë ëndrrën e themeluesve të saj për një shtet hebre, demokratik dhe të pavarur dhe në mënyrë tragjike do ta humb të drejtën e ekzistencës së tij.

[Nga anglishtja përktheu Arbana Xharra]

SHARE ARTICLE