All Writings
May 29, 2020

Izraeli dhe palestinezët: Arkitektët e shkatërrimit të tyre

Ndërsa Izraeli po e feston 72 vjetorin e pavarësisë së tij, konflikti izraelito-palestinez vazhdon të vlojë, pasi që siç duket asnjëra anë nuk ka mësuar asgjë nga konflikti i tyre shtatëdhjetëvjeçar, kurse ndryshimet dramatike në terren refuzohen me lehtësi. Akuzat dhe kundërshtimet – akuzat kundër njëri-tjetrit vazhdojnë të mos përshtaten, sikur çdo gjë të ishte ngrirë në kohë. Izraelitët dhe palestinezët ende janë shumë mosbesues ndaj njëri-tjetrit dhe e fajësojnë të tjetrin për ngecjet e vazhdueshme. Ata tani po përballen më një udhëkryq fati dhe duhet ti rivlerësojnë pozicionet e tyre. Izraeli duhet të pranojë se palestinezët nuk janë armiq të përhershëm për vdekje dhe që mund të arrihet marrëveshja e cila ia garanton sigurinë kombëtare. Palestinezët duhet të heqin dore nga disa prej kërkesave të tyre të vjetra dhe të lodhura, të cilat kanë dëshmuar që kanë qenë fatale për të gjitha negociatat e mëparshme për paqe.

Paritë politike të krahut të djathë në Izrael të udhëhequra nga Likud, në krye me Netanjahun (Netanyahu), i kanë indoktrinuar izraelitët përmes frikës e cila rritej me sukses të konsiderueshëm. Pohojnë se shteti palestinez në Bregun Perëndimor pashmangshëm do të bjerë nën Hamas dhe do të paraqesë kërcënim ekzistencial për Izraelin. Ky argument që ka depërtuar në vetëdijen e izraelitëve, posaçërisht që nga Intifada e dytë në vitin 2000, është plotësisht pa meritë pasi çdo marrëveshje paqeje në mes të dy palëve duhet të bazohet në aranzhime të rrepta sigurie që nuk lënë vend për gabime dhe asnjë alternativë për palestinezët.

Thirrja në përvojën izraelite me Hamasin si justifikim për refuzimin e tij për të mundësuar krijimin e shtetit palestinez ne Bregun Perëndimor, në rastin më të mirë është jo e natyrshme dhe e pandershme. Izraeli, i cili në atë kohë udhëhiqej nga kryeministri më i zjarrtë i krahut të djathtë, Shamir, solli ngritjen e Hamasit në vitin 1987 duke i mbështetur udhëheqësit e tij të hershëm si financiarisht, ashtu edhe politikisht, të cilët ideologjikisht ishin kundër OLP-së (Organizata e Liberalizimit të Palestinës) . Avner Cohen, ish zyrtari izraelit për çështje fetare i cili në atë kohë punonte në Gazë, në vitin 2009 deklaroi se “Për keqardhjen time të madhe, Hamasi është krijimi i Izraelit.” Strategjia e Izraelit ishte ndarja e pushtimi, duke i ndarë palestinezët ne dy kampe për ta balancuar dhe dobësuar dorën e Kryetarit të atëhershëm Jaser Arafatit (Yasser Arafat) dhe për të parandaluar palestinezët që të bashkohen në një trup të vetëm politik.

Vendimi i kryeministrit Sharon për t’i tërhequr forcat izraelite nga Gaza pothuajse gjatë natës në vitin 2005, pa ndonjë marrëveshje sigurie me AP-në (Autoritetet palestineze) për të siguruar sigurinë e afatgjatë, ishte fatal. Si gjeneral, ai e dinte mirë se Hamasi kishte aftësi më të mëdha ushtarake dhe ishte shumë më i ngulitur në Rrip sesa forcat e sigurisë së AP-së. Qëllimi i Sharonit ishte ta thellojë përçarjen AP-Hamas dhe t’ia hiqte qafë Izraelit përgjegjësinë për të siguruar punë, kujdes shëndetësor dhe zhvillim ekonomik në një zonë me popullsi të dendur palestineze që nuk ka asnjë rëndësi strategjike për Izraelin.

Ajo që e bëri gjërat më keq ishte refuzimi i Izraelit t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare palestineze në vitin 2006, të cilat ia sollën Hamasit fitoren e qartë kundër OLP-së. Pastaj Izraeli i arrestoi 33 parlamentarë të sapozgjedhur të Hamasit, duke i akuzuar që janë pjesëtarë e organizatës terroriste. Mu në fund, Izraeli nuk bëri asgjë për t’i ndaluar luftimet kundër Hamasit dhe AP-së, të cilët jo çuditërisht përfunduan me humbje të AP-së, gjë që e vulosi fatin e Gazës nën Hamas në vitin 2007.

Shpërthyrja e Intifadës së dytë në vitin 2000 ishte një pikë kthese për izraelitët, por edhe për palestinezët. 117 sulme terroriste që morën jetën e më shumë se 1.000 izraelitëve ishin mjaft bindëse për shumë izraelitë që palestinezët janë armiq për vdekje, sidomos pas Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993, e cila duhej të evoluojë në një paqe të përhershme bazuar në një zgjidhje me dy shtete. Sidoqoftë Izraeli e injoroi faktin që edhe palestinezët në Bregun Perëndimor e mësuan një mësim të hidhur Ata nuk harruan që Intifada e dytë ftoi për hakmarrje masive kundër Izraelit që e shkatërroi pjesën më të madhe të infrastrukturës, shtëpive dhe institucioneve të tyre të sapondërtuara pas vitit 1993.

Megjithatë, të sugjerosh që Izraeli është fajtori i vetëm që qëndron pas konfliktit të vazhdueshëm izraelito-palestinez është gjë e gabuar dhe i shpërfill armiqësitë e vazhdueshme të palestinezëve kundër Izraelit, si dhe mundësitë e tyre të ri-humbura për të arritur një marrëveshje paqësore.

Palestinezët kundërshtuan planin e ndarjes të KB-së në vitin 1947, hodhën poshtë ofertën e Izraelit për të shkëmbyer shumicën e territoreve të kapura në luftën e vitit 1967 për paqe, nuk pranuan t’u bashkohen bisedimeve izraelito-egjiptiane për paqe në vitin 1977, fundosi marrëveshjen gati të përfunduar të paqes në Camp David në vitin 2000 mbi të drejtën e kthimit, dhe në vitin 2009 nuk arriti ta shfrytëzojë mundësinë për të bërë paqe për mosmarrëveshjet mbi shtrirjen e shkëmbimit të tokës. Ajo që gjërat i bëri edhe më keq është refuzimi i palestinezëve, sidomos i Hamasit, ta pranojë Izraelin dhe kërcënimet e tyre të vazhdueshme kundër ekzistencës së tij, duke blere dhe prodhuar armë, veçanërisht raketa, për t’i dhënë një kuptim të prekshëm kërcënimeve të tyre.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk sugjeron që nëse dhe kur shteti palestinez të themelohet në Bregun Perëndimor do të bëhet, siç thonë shumë izraelitë, një Hamastan tjetër. Tërheqja e papritur e Izraelit nga Gaza pa ndonjë marrëveshje sigurie dhe trajtimi pasues i Hamasit nga Izraeli janë ato që e kanë galvanizuar ngritjen e Hamasit si një forcë dhe një lojtar të rëndësishëm.

Prandaj, vetëm një budalla do të avokojë që Izraeli të tërhiqej nga Bregu Perëndimor pa marrëveshje më gjithëpërfshirëse të sigurisë që i adresojnë kërkesat e Izraelit për siguri, të vërteta ose të perceptuara. U pëlqeu palestinezëve apo jo, nëse duan një shtet të tyre, ata duhet të kuptojnë se kërkesat e tyre nga dekada më parë nuk janë më të zbatueshme ose të mundshme dhe duhet të pranojnë një numër çështjesh kryesore të ndjeshme:

Palestinezët duhet të pranojnë që e drejta e kthimit të refugjatëve palestinezë të bazohet në Iniciativën Arabe për Paqe nga viti 2002 që bëri thirrje për një “zgjidhje të drejtë të problemit të refugjatëve palestinezë”, e cila nga njohuritë e mia të dorës së parë u kuptua nga kornizat e saj për të nënkuptuar kompensim dhe /ose zhvendosje. Ata gjithashtu duhet të pranojnë që pjesa më e madhe e pranisë së Izraelit në Bregun Perëndimor është e përhershme, pasi që Izraeli nuk do të heqë dorë, në asnjë rrethanë, nga të gjitha vendbanimet, e veçanërisht nga tre blloqet përgjatë kufijve të vitit 1967 (megjithëse kjo mund të zgjidhet përmes shkëmbimeve të tokës, siç u ra dakord në bisedimet e mëparshme për paqe). Më në fund, palestinezët duhet të bien dakord që Izraeli, së paku, do të administrojë bashkërisht Jeruzalemin Lindor për shkak të prirjes së pakthyeshme historike dhe fetare të hebrenjve ndaj qytetit të shenjtë, dhe për shkak të ndërhyrjes së hebrenjve dhe arabëve në Jeruzalemin Lindor dhe lagjet përreth tij.

Nga ana tjetër, Izraeli duhet të pajtohet me krijimin e një shteti palestinez dhe si pasojë e kësaj nuk duhet të aneksojë më tokën palestineze. Përafërsisht 80,000 emigrantë izraelitë që jetojnë në një seri vendbanimesh të vogla të shpërndara përgjatë Bregut Perëndimor duhet të zhvendosen për të lejuar një masë të vazhdueshme tokësore të shtetit palestinez. Izraeli gjithashtu duhet të pajtohet të negociojë me Hamasin bazuar në njohjen e ndërsjellë për të arritur një marrëveshje paqësore, së bashku me ose të pavarur nga AP-ja.

Udhëheqja e Hamasit e di se Izraeli është një fuqi e frikshme ushtarake, dhe pa marrë parasysh sa raketa grumbullojnë, ata do të mposhten zhurmshëm nëse ata ndonjëherë paraqesin një rrezik të vërtetë për Izraelin. Sidoqoftë, Izraeli e di gjithashtu se Hamasi në Gazë është aty për të qëndruar, me flakërime të shpeshta të dhunshme dhe me koston e tmerrshme që Izraeli duhet të mbart për ta ruajtur sigurinë. Ish shefi i Mosadit (Mossad) Efraim Hajevi (Efraim Halevy) deklaroi: “Hamasi mund të shkatërrohet … [por] çmimi i shkatërrimit të Hamasit është një çmim të cilin Izraeli preferon të mos e paguajë.” Zgjedhja e tyre është e qartë: të ruhet status-quo me bllokadën izraelite në vend nga i cili më së shumti vuajnë palestinezët në Gazë, ose të arrihet një marrëveshje për paqe që do ta çlirojë Izraelin nga barra e rëndë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Hamasit që shqetësojnë shumë izraelitë.

Mungesa totale e besimit midis AP-së, Hamasit dhe Izraelit, dhe ekzistenca e radikalëve në të tri kampe, që ende duan t’i kenë të gjitha, e bën të domosdoshme krijimin e një aparati të sigurisë, të rënë dakord reciprokisht, që adreson sigurinë e Izraelit sidomos në Bregun Perëndimor. Kjo ne të vërtetë është një parakusht për çdo marrëveshje të paqes, për të cilën AP-ja duhet të pajtohet nëse duan një shtet të pavarur të tyre.

Kjo përfshin një patrullim të gjerë të përbashkët në Luginën e Jordanit, në mënyrë që të parandalohet depërtimi i armëve dhe radikalëve nga Jordani, të cilët kundërshtojnë çdo marrëveshje me Izraelin, pavarësisht nga natyra e tij, duke shkëmbyer inteligjencën për t’i shmangur sulmet terroriste dhe për të krijuar projekte të përbashkëta të zhvillimit ekonomik. Këto dhe programe të tjera të përbashkëta me kalimin e kohës do ta rritin besimin i cili mungon dukshëm, si dhe do të rrënjosin interesa nga të dy palët për ta mbajtur një marrëdhënie të bashkëpunimit dhe të përfitimit të ndërsjellë.

Pavarësisht nga dhuna dhe paqëndrueshmëria rajonale që mund të pasojë, qeveria e re izraelite po planifikon ta fillojë aneksimin e mëtutjeshëm të tokës palestineze në fillim të korrikut — derisa Trumpi është ende në detyrë dhe Izraeli mund të llogaritë në mbështetjen e tij. Për Trumpin, një veprim i tillë i Izraelit, i cili është pjesë qendrore e “marrëveshjes së shekullit” të Trumpit, do të forcojë edhe më shumë qëndrimin e tij politik në sytë e ungjillorëve, mbështetjen e të cilëve ai duhet ta ketë nëse ka ndonjë shans për të fituar zgjedhjet e radhës.

Nga ana tjetër, palestinezët nuk kanë mbështetës të vërtetë. Pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë përkrahësit e tyre tradicional, shtetet arabe dhe BE-në, janë të preokupuar me çështje të brendshme dhe rajonale, me shqetësime të mëdha. Ata po i kushtojnë pak ose aspak vëmendje problemit palestinez, dhe me mungesën e një fuqie të madhe që mund të ushtrojë presion të vërtetë, Izraeli nuk do t’i ndryshojë planet e veta aq për sa SHBA-ja vazhdon t’ia ofrojë mbështetjen e saj të plotë.

SHARE ARTICLE