Marrëveshjes Serbi-Kosovë I Mungon Përfundimi I Konfliktit Të Tyre
- See the English translation
- See the Arabic translation
- See the French translation
- See the Serbian translation
Marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, i cili u arrit me ndërmjetësimin e SHBA-së, i mungon procesi i domosdoshëm i pajtimit, i cili do të çonte deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Disa nga elementet e marrëveshjes për normalizim ekonomik janë pozitive, duke e përfshirë operacionalizimin e autostradës paqësore dhe hekurudhës mes Prishtinës dhe Merdarës, ndarjen e liqenit të Gazivodës/ Ujmanit dhe hulumtimi i përdorimit të tij si burim qëndrueshëm i ujit dhe energjisë, si dhe marrja e mbështetjes financiare nga Korporata Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar dhe Banka Amerikane Eksport-Import (EXIM) për të cekurat më lartë. Ky dhe projektet e tjera do të krijojnë mundësi pune për disa mjera kosovarë dhe do t’i zbusin disa nga vështirësitë ekonomike në vend.
Fatkeqësisht, marrëveshja do të tregohet si sipërfaqësore, jo vetëm sepse nuk kërkon nga Serbia që ta njeh Kosovën në ndonjë moment në të ardhmen, por madje as nuk e obligon Serbinë që të heq dorë nga fushata e vet jo legjitimë të tërheqjes së njohjeve kundër Kosovës. Fakti se Serbia ka rënë dakord që “do të përmbahet nga kërkimi formal ose joformal nga cilido popull apo nga cilado organizatë ndërkombëtarë që mos ta njeh Kosovën [Prishtinën] si shtet të pavarur”, është vetëm premtim bosh. Beogradi e di që Rusia do të vendosë veto në cilëndo rezolutë të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për njohje të Kosovës, e i cili është trupi më i rëndësishëm ndërkombëtar.
Gjëja që gjithashtu është shqetësuese, është që në marrëveshje ekziston një numër i gjërave dytësore, që janë menduar për ta forcuar reputacionin e Trampit në luftën e tij në zgjedhje, e të cilat kanë pak, ose nuk kanë farë të bëjnë me konflikt mes Serbisë dhe Kosovës. Këtu përfshihet njohja reciproke mes Izraelit dhe Kosovës, gjë që nga Prishtina kërkon që ta hapë ambasadën e vet në Jerusalem, e që BE-ja e kundërshton ashpër, duke rënë dakord që ta shënojë Hezbollah si organizatë terroriste. Më tepër, përveç këtyre vijave, në marrëveshje nuk ka asgjë tjetër që nuk ishte aty gjatë përpilimit ose që nuk kishte rënë dakord në tërësi para pjesëmarrjes amerikane. Në fund të fundit, marrëveshja nuk është kontratë, dhe secili nga shtetet mund të heq dorë nga ajo, pa kurrfarë dënimesh.
Është e zakonshme që Trampi është i fiksuar pas zhvillimit ekonomik, sikur të ishte njëfarë panace që mund t’i zgjidhte të gjitha konfliktet, pa e marrë parasysh historinë, dimensionin psikologjik (i cili veçanërisht e ndjek Kosovën) dhe mjedisin kontradiktor politik i cili po mbizotëron e në të cilin jetojnë dhe vazhdojnë ta pranojnë. Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës e jep një shembull. Në Samitin Ekonomik në Bahrein është rënë dakord që Palestinezët do ta marrin një pako të madhe ekonomike si pjesë e procesit i cili çon drejt paqes; megjithatë, nuk ishte i suksesshëm sepse i injoroi marrëdhëniet e mëhershme dhe ato të tanishme ekonomike mes dy palëve dhe nuk bëri asgjë për ta zgjidhur konfliktin e tyre.
Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës është ngulitur thellë në psikikën e tyre, dhe përderisa pajtimi historik mungon, as një sasi e normalizimit ekonomik nuk do ta zbusë mosbesimin e rrënjosur thellë dhe kërkesat e tyre themelore. Për t’u përfunduar konflikti, gjithsesi duhet të ekzistojë procesi i pajtimit, kurse normalizimi ekonomik është vetëm një nga parakushtet që një proces i tillë të jetë i suksesshëm.
Megjithatë, procesi i pajtimit duhet të jetë i përqendruar në heqjen dore të përhershme të Serbisë nga fushata për tërheqjen e njohjeve kundër Kosovës. Pezullimi i thjeshtë i një fushatë të tillë për një vjet, siç është parashikuar me marrëveshje, e tregon mungesën e përkushtimit të Serbisë që ta njohë Kosovën tani apo dikur në të ardhmen.
Kryeministri i Kosovës Hoti e ka bërë një gabim të tmerrshëm që nuk e ka bërë këtë kusht, parakusht për çfarëdo marrëveshje me Serbi. Dhe në të vërtetë, cili është qëllimi i zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike, kur Serbia mund të vazhdojë prapë me fushatën e saj të tërheqjes së njohjeve? Dështimi i Hotit që të insistojë për këtë kërkesë, është tallje me tërë marrëveshjen, e cila i sjell Serbisë dobi ekonomike, e nuk kërkon nga ajo kurrfarë detyrimi (që është i rëndësisë kyçe për pajtim dhe ndertim të besimit) për t’i dhënë fund fushatës së saj ogurzezë. Normalizimi ekonomik duhet të trajtohet vetëm si hapi i parë në procesin e pajtimit i cili duhet të bazohet në të cekurat më poshtë, për të arritur deri te njohja reciproke:
Së pari: Njerëzve dhe mallrave duhet t’iu sigurohet lëvizja e lirë përtej kufirit, në dy drejtime, për t’u ngritur ndërveprimi mes njerëzve, gjë që gradualisht do të ndihmojë në shërimin e plagëve dhe kultivimin e besimit të ndërsjellë. Serbët, që i shikonin me përçmim shqiptarët e Kosovës duhet të riorientohen në realitetin e ri. Trajtimi i barabartë i fqinjëve të tyre është kyç për pajtim, e veçanërisht se Serbia është më e madhe, më e pasur dhe më superiore në kuptim ushtarak nga Kosova. Kosova nuk mund të negociojë përderisa është në pozicion dobësie dhe nuk mund të bëjë asnjë koncesion të rëndësishëm pa zemërim të publikut.
E dyta: Marrëveshja për tregti të lirë është e rëndësisë jetësore, jo vetëm për zgjerimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve nga të cilat të dy palët mund të kenë dobi të mëdha, por edhe për maksimizimin e efikasitetit dhe të prodhimit të gjërave të dizajnuara veçanërisht për eksport në shtetin tjetër. Aq më tepër, pa tarifa në gjithë mallin importues, ai do të bëhet më i qasshëm dhe do të ketë më shumë kërkesa për to. Vendosja e tarifës 100 përqind ndaj mallrave serbe të importuara në Kosovë, e cila në ndërkohë është hequr, jep përvojë të tmerrshme nga e cila do duhej të marrin mësim të dy shtetet.
E treta: Serbia duhet ta njohë dhe ta pranojë përgjegjësinë për krime të luftës të cilat i kishte bërë kundër Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Pa një pranim të tillë nuk mund të mbahet kurrfarë normalizimi ekonomik apo ndonjë bashkëveprim në asnjë nivel shoqëroro- politik. Mizoritë serbe dhe tmerri që e kanë përjetuar shqiptarët nga Kosova gjatë luftës, nuk do të zhduken për shkak të normalizimit ekonomik. Serbia duhet të merr shembull nga Gjermania. Po mos t’i kishte pranuar Gjermania krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë Luftës së Parë Botërore, kurrë nuk do të arrinte ta hiqte njollën e tmerrshme historike, e lërë më të integrohet në komunitetin evropian dhe të bëhet një nga liderët më të fuqishëm në BE.
E katërta: Mbikëqyrësit e BE-së duhet të përfshihen në procesin e “gjetjes së vendndodhjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të personave të zhdukur … dhe e identifikimit dhe të zbatimit të zgjidhjeve afatgjata dhe të përhershme për refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit”, siç është parashikuar me marrëveshje, për t’u siguruar zgjidhja e kësaj plage të afatgjatë dhe të dhimbshme të luftës, e që është e rëndësisë së veçantë për pajtim. Serbia në të kaluarën ishte hezituese në këtë pikëpamje, duke u frikësuar se zbulimi i varrezave masive do të ofrojë edhe një provë shtesë që ajo në të vërtetë ka kryer krime lufte të përmasave të mëdha. Mbikëqyrja është e domosdoshme për t’u siguruar që e kaluara do të zbulohet dhe pastaj plagët mund të fillojnë të shërohen.
E pesta: Pas këtij procesi, Serbia duhet të obligohet që do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në afat nga tri deri në katër vjet, gjatë të cilëve shumica e çështjeve në konflikt, do duhej të zgjidheshin përmes negociatave të drejtpërdrejta. Kur negociatat arrijnë në bllokim, BE-ja do të ndërmjetësonte në çdo mosmarrëveshje, sidomos sepse të dy shtete duan që të integrohen në BE. Përfundimi i konfliktit të tyre, me kontributin e BE-së do të ndihmojë në lehtësimin e marrëveshjes, gjë që është parakusht për integrim.
Në fund, Serbia duhet ta pranojë realitetin e pakthyeshëm që Kosova është shtet i pavarur dhe që ajo nuk mund të bëjë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet. Më shumë se 110 shtete e kanë njohur Kosovën, duke i përfshirë edhe SHBA-në dhe shumicën e shteteve anëtarë të BE-së. Është koha që Beogradi ta ndërpriste ëndërrimin sikur Kosova ishte pjesë e saj ose që mund të rifitohet si një nga krahinat e saj.
Serbia, sikur dhe Kosova, megjithatë e di shumë mirë që ardhmëria e saj e sigurt dhe prosperiteti janë në BE. Hyrja në negociata qëllimmira për zgjidhjen e konflikteve të tyre, me qëllim të arritjes së njohjes reciproke, do ta hapë një horizont të ri për të dy shtete, ku ato do të kenë mundësi të rriten dhe të lulëzojnë dhe ku do t’iu ofrojnë gjeneratave të reja një të ardhme plot shpresë, në vend që të jetë peng i së kaluarës.